ShBA-të dhe aleatët sulmojnë Sirinë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar se ka urdhëruar sulme precize ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.
Operacioni është në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik, që ka ndodhur javën e kaluar në qytetin sirian, Duma.
Në fjalimin drejtuar kombit, të premten vonë, Trump ka thënë “masakra e fundit është një përshkallëzim i madh i përdorimit të armëve kimike nga një regjim shumë i tmerrshëm”.
“Sulmet janë urdhëruar mbi caqet e lidhura me kapacitetet e armëve kimike të Qeverisë siriane”, ka theksuar Trump.
Sipas presidentit amerikan, qëllim i sulmeve është “të krijohet një pengesë e fuqishme kundër prodhimit, përhapjes dhe përdorimit të armëve kimike”.
“Këto nuk janë veprime të një njeriu; ato janë krime të një përbindëshi”, ka thënë Trump për presidentin sirian, Bashar al-Assad.
Qeveria siriane ka mohuar se ka kryer sulmin kimik, i cili besohet se ka lënë dhjetëra njerëz të vrarë.
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e konfirmoi përfshirjen britanike në fushatën ushtarake ajrore, duke thënë se “nuk ka pasur asnjë alternativë praktike për përdorimin e forcës”.
Ajo po ashtu ka theksuar se sulmet nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e regjimit.
Pjesëmarrjen në operacion e konfirmoi edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Rusia, aleate e Sirisë, paralajmëroi se sulmet e Perëndimit rrezikojnë të nisin luftën midis dy palëve.
Ajo lëshoi një deklaratë nëpërmjet ambasadorit të saj në SHBA, Anatoly Antonov, duke thënë se “veprimet e tilla nuk do të mbeten pa pasoja”.
Trump i bëri thirrje edhe Rusisë, edhe Iranit që të ndalojnë mbështetjen për regjimin “vrasës” të Assadit.
Footage from #Damascus shows air defence missiles being launched. Location not specified. #SyriaStrikes pic.twitter.com/EqTUYBeNq0
— Riam Dalati (@Dalatrm) April 14, 2018