SHBA dislokon avionë dhe mijëra trupa shtesë në Lindjen e Mesme
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të shtojnë numrin e trupave e tyre në Lindjen e Mesme për “disa mijëra”, duke sjellë njësi të reja dhe duke i zgjeruar disa nga njësitë që tashmë ishin të dislokuara atje, tha Pentagoni.
Rritja e pranisë ushtarake të Uashingtonit në Lindjen e Mesme vjen në një kohë konflikti në rritje midis Izraelit dhe Hezbollahut, grupit militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Izraeli vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, javën e kaluar, duke ngritur frikën për një luftë më të gjerë rajonale. Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka futur në listë të zezë krahun e tij ushtarak, por jo edhe partinë politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.
“Një numër i caktuar njësish të dislokuara tashmë në rajonin e Lindjes së Mesme… do të zgjerohen, dhe forcat që ishin të destinuara t’i zëvendësonin njësitë ekzistuese tani do të shtohen në vend se të zëvendësojnë [ato ekzistuese]”, tha zëdhënësja e nëndegës së shtypit të Pentagonit, Sabrina Singh.
“Këto forca të shtuar përfshijnë avionët luftarakë F-16, F-15E, A-10, F-22 dhe personelin përkatës”, tha Singh, duke shtuar se, si rezultat, SHBA-ja do të ketë “disa mijëra” ushtarë më shumë në rajon.
Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi të martën se tre skuadra shtesë avionësh luftarakë po arrinin në rajon, ndërsa një skuadër tjetër ishte tashmë e pranishme.
Izraeli njoftoi të martën se ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, e kishte informuar sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin, mbi operacionet tokësore “të lokalizuara dhe të shënjestruara” që kishin për objektiv pozitat e Hezbollahut në Jug të Libanit.
Austin tha se mbrëmjen e kaluar kishte ofruar mbështetje për Gallant për “zhbllokimin e infrastrukturës sulmuese” të Hezbollahut përgjatë kufirit me Libanin.
Ai gjithashtu paralajmëroi Iranin për “pasoja serioze” nëse ai godet drejtpërdrejt Izraelin në përgjigje të sulmeve ndaj grupit militant të mbështetur nga Teherani./REL