SHBA do ndërtojë një port në Gaza për të shpërndarë ndihma humanitare
Forcat ushtarake amerikane do të ndërtojnë një port të përkohshëm në vijën bregdetare të Gazës në javët e ardhshme për të lejuar dërgimin e ndihmave humanitare në shkallë të gjerë.
Lajmin e bëri me dije presidenti amerikan Joe Biden gjatë një fjalimi këtë të enjte.
“Ne nuk po presim izraelitët. Ky është një moment për lidershipin amerikan”, tha të enjten një zyrtar i lartë amerikan, duke reflektuar zhgënjimin në rritje me Izraelin, të akuzuar se po pengon qëllimisht hyrjen e ndihmave humanitare.
Porti do të ndërtohet nga inxhinierë ushtarakë amerikanë që operojnë në anijet në brigjet e Gazës, të cilët nuk do të kenë nevojë të dalin në breg, thanë zyrtarët amerikanë. Dërgesat e ndihmës do të kryhen nga porti i Larnakës në Qipro, i cili do të bëhet qendra kryesore për dërgimin e ndihmës në Gaza.
Në fjalimin ditën e sotme, Biden njoftoi gjithashtu hapjen e një kalimi të ri tokësor në brezin bregdetar të pushtuar dhe të shkatërruar nga lufta.
Gjendja humanitare në Gaza është alarmante, ndërsa raportohet se 30 mijë palestinezë kanë vdekur deri tani, pjesa më e madhe e tyre civilë, pjesa tjetër e popullsisë është duke vuajtur mungesën e bukës, ujit dhe medikamenteve bazike.