ShBA, edhe majmunët vaksinohen për Covid-19
Disa majmunë në kopshtin zoologjik të qytetit San Diego në Shtetet e Bashkuara janë vaksinuar me një vaksinë eksperimentale kundër Covid-19, e cila është zhvilluar për kafshët pas përhapjes së virusit te disa gorilla në atë vend.
Pjesë e vaksinimit ishin dy lloje të majmunëve: katër orangutanë dhe pesë bonobos. Vaksina është zhvilluar nga kompania farmaceutike për kafshë, Zoetis.
Tetë gorilla të këtij kopshti u bënë majmunët e parë në botë që dolën pozitivë në testin për Covid-19 në janar, shkruan “BBC”.
Aktivistët për mbrojtjen e kafshëve janë të shqetësuar për kërcënimin që u paraqitet majmunëve nga sëmundja Covid-19. Shqetësimi është më i madh për gorillat, të cilat janë në listën e kuqe të specieve të rrezikuara nga zhdukja.
Në mesin e majmunëve të vaksinuar ishte edhe orangutani Karen, i cili në vitin 1994 u bë i pari i llojit të vet që iu nënshtrua një operacioni në zemër.
Zyrtarët kanë thënë se kafshët e vaksinuara nuk kanë shfaqur efekte anësore dhe së shpejti do të testohen për antitrupa, për të kuptuar nëse vaksinat kanë reaguar me sukses.
Raste të kafshëve të prekura nga Covid-19 janë regjistruar edhe në kopshte tjera zoologjike, përfshirë kopshtin Bronx në Nju Jork dhe luanët e infektuar në kopshtin zoologjik të Barcelonës.