SHBA, emigrantja e vogël humb jetën në kufi me Meksikën
Një vajzë 7 vjeçe ka ndërrua jetë ndërsa ishte nën kujdesin e autoriteteve amerikane në kufi me Meksikën. E mitura vdiq për shkak të dehidratimit dhe lodhjes nga rruga. Lajmi bëhet i ditur nga “Washington Post”, i cili nënvizon se e vogla vinte nga Guatemala. Episodi ka rindezur polemikat mbi trajtimin e emigrantëve në kufi, të vendosur në qendra pritjeje në kushte të këqija.
Vajza nga Guatemala ishte kapur në kufirin meksikan nga policia e Nju Meksikos se bashku me babanë e saj dhe dhjetëra të tjera, para se të vdiste nga “dehidratimi dhe tronditja”.
Sipas agjencisë amerikane për doganën dhe mbrojtjen e kufijve, fëmija “nuk ka ngrënë apo pirë për ditë me radhë” dhe filloi të vuante konvulsione tetë orë pas ndalimit, të ndodhur më 6 dhjetor. Ajo u transportua më vonë me helikopter në një spital në El Paso, ku pësoi një arrest kardiak dhe pastaj vdiq brenda 24 orëve.
Presidenti Donald Trump, ka vendosur një linjë të ashpër ndaj emigrantëve, duke e përdorur si një “kalë beteje” në politikën e brendshme amerikane. Ai ka premtuar ngritjen e një muri në kufi me Meksikën, ka urdhëruar nxjerrjen e qindra mijëra ushtarëve përgjatë kufirit dhe ka ndarë më shumë se dy mijë fëmijë emigrantë nga prindërit në kuadër të një politike të ashtuquajtur “tolerancë zero”./gazetashqip/