SHBA gati për sanksione të mëtejshme ndaj Turqisë
Një gjykatë turke hodhi poshtë të premten një kërkesë për të liruar pastorin amerikan Andrew Brunson, arrestimi i të cilit ka shkaktuar mosmarrëveshje diplomatike mes Turqisë dhe SHBA-së.
Gjykata e Lartë në qytetin e Izmirit mbështeti vendimin e një gjykate më të ulët për ta mbajtur pastorin nën arrest shtëpiak, njoftuan mediat turke dhe avokati i zotit Brunson. Gjykata hodhi gjithashtu poshtë dhe një ankesë për të hequr urdhrin që i ndalon udhëtimin pastorit amerikan.
Vendimi vjen vetëm disa orë pasi një ministër turk tha se vendi i tij do të përgjigjet, nëse SHBA’ja vendos sanksione të reja lidhur me çështjen Brunson.
Një ditë më parë Shtetet e Bashkuara njoftuan se Turqia do të përballet me më shumë sanksione, nëse refuzon të lirojë pastorin, i cili akuzohet se ndihmoi organizatorët e puçit të dështuar të vitit 2016 kundër Presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Shtetet e Bashkuara thonë se Ankaraja nuk ka prova për këto akuza dhe se e ka mbajtur nën arrest pastorin për një periudhë shumë të gjatë.
Marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë është përkeqësuar prej kohësh, por dy vendet aleate, anëtare të NATO’s, nuk patën deklaruar ndonjë armiqësi të hapur deri kohët e fundit.
Erdogan i akuzoi Shtetet e Bashkuara për goditje pas shpine ndaj partnerit strategjik, nëpërmjet dyfishimit të tarifave ndaj çelikut dhe aluminit turk. Presidenti Trump tha për Turqinë se “nuk janë treguar miq të mirë”.
“Kanë një pastor të mrekullueshëm të krishterë atje. Ai është shumë i pafajshëm”, tha Presidenti Trump.
Presidenti Trump shtoi se u mundësua lirimi i një personi, duke përmbushur kështu një kërkesë të Erdogan, por nuk dha detaje të mëtejshme, ndërsa shtoi se presin që Erdogan të përgjigjet me të njëjtën mënyrë.
“Sipas kërkesës së tij (Erdoganit) mundësuam lirimin e një personi. Na kërkoi pra ndihmë të lironim dikë, i cili është i lirë tashmë. Por, tani duan të na e mbajnë pastorin tonë të mrekullueshëm. Kjo nuk është e drejtë”, tha Presidenti Trump.
Sekretari Mnuchin tha se departamenti i tij është gati të shtojë sanksionet ndaj Turqisë, nëse nuk lirohet pastori.
“Folëm shumë qartë me homologët tanë atje, si Sekretari Pompeo, ashtu edhe unë, për lirimin e pastorit. Kemi vendosur sanksione ndaj disa anëtarëve të kabinetit të tyre qeveritar. Po planifikojmë të tjera masa, nëse nuk e lirojnë së shpejti”, tha Mnuchin.
Analistët thonë se pastori është pjesë e një mosmarrëveshjeje më të gjerë mes të dy vendeve.
Erdogan ka kundërshtuar me ashpërsi mbështetjen amerikane për kurdët që luftojnë Shtetin Islamik në Irak dhe Siri.
Ai është zemëruar gjithashtu prej refuzimit amerikan për të ekstraduar një klerik turk që është kundërshtar i tij.
Grupet amerikane të të drejtave të njeriut dhe disa hartues të politikave janë të irrituar me stilin autoritar gjithnjë e në rritje të Erdogan.