SHBA godet krimin e organizuar në Veri të Kosovës – i fut në listë Veselinoviqin e Radojqiqin me bashkëpuëntorë
Sot, Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar rrjetet e korrupsionit disa shtete të evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë njofton kjo zyrë përmes një komunikate për media, transmeton Gazeta Express.
Në komunikatë ndër të tjera thuhet se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontrollë të disa bisneseve në disa rajone.
Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë: Ros, Andrija Zheljko Bojiq, Srdjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Miljan Radisavljevic, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq.
“Krimi i organizuar ndërkombëtar dhe korrupsioni shpesh shkojnë paralelisht me efektet masivisht destabilizuese mbi sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike,” tha Drejtori i Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja Andrea M. Gacki.
“Thesari do të vazhdojë të çmontojë në mënyrë agresive lidhjet midis organizatave kriminale transnacionale dhe aktivitetit korruptiv, veçanërisht nga ata në detyrë që kanë besimin e publikut.”
Zvonko Veselinoviq nga Zveçani, i njohur në Kosovë dhe në Serbi si bosi i kontrabandës me derivate të naftës, me tekstil, vetura dhe mekanizëm tjetër të rëndë, i cili është i njohur edhe për faktin se ishte gjetur në grupin e njerëzve të cilët pengonin kalimin e shqiptarëve nga jugu në veri të Mitrovicës dhe i cili ishte organizatori kryesor për vendosjen e barrikadës mbi urën kryesore të lumit Ibër në korrikun e vitit 2011, është treguar i gjithëpushtetshëm edhe në Serbi.
Pasi që veriun e Kosovës e kishte “futur” në dorë lehtësisht nëpërmes të njerëzve të vetë, të njohur për vepra të rënda kriminale dhe duke bashkëpunuar edhe me shqiptarë, Veselinoviq ka arritur që krijojë pushtet edhe në Serbi. Veselinoviq ishte arrestuar dhe ishte dërguar në burg, ndërkohë që pas 1 viti e 4 ditë paraburgimi është shpallur i pafajshëm. Me ndikim të madh tek pushtetarët në Beograd, Veselinoviq kishte arritur që ta merrte një tender 750 milionë dollarë, ndërsa duke përdorë autoritetin dhe forcen e tij, gjithashtu ka arritur që përvehtësojë një pjesë të qendres sportive-rekreative në Kopaonik, në të cilën ka ndërtuar hotel.
Mediet serbe, të cilët Veselinoviqin e përshkruajnë edhe si njeriun që ka refuzuar ta largojë barrikadën nga ura kryesore e Ibrit, të vendosur nga ai vetë dhe nga serbët, disa muaj para se të arrestohej, shkruajnë se Veselinoviq ka arritur ta fitojë gjykimin dhe të përfitojë “miliona” për 1 vit e 4 ditë, sa ka qendruar në burg, me akuzën se “kundërligjshëm ka përvehtësuar 32 kamionë në pronësi të kompanisë Hipo Alpe Adria lizng”. Gjykata e Apelit në Beograd e ka shpallur të pafajshëm Veselinoviqin dhe e ka liruar nga të gjitha akuzat. Për 1 vit e 4 ditë burg që i ka mbajtur,Veselinoviq, siç shkruajnë mediet serbe është dëmshpërblyer me “miliona”, por nuk precizojnë sa milionë.
Por, Veselinoviq ka vendosur që ta refuzojë dëmshpërblimin, për shkak se siç ka thënë njëri prej avokatëve të tij, Mladen Magdeliniq, arrestimi i Veselinoviqit është bërë për shkaqe politike.“Prej atëherë klima politike ka ndryshuar dhe ai nuk dëshiron që ta padisë shtetin”, ka sqaruar avokati Magdeliniq.
Sipas medieve serbe, pushteti aktual në Serbia ia ka dhënë një konzorciumi të kompanive, që udhëhiqet nga Zvonko Veselinoviq, punët për ndërtimin e autostradës në korridorin e 11, në vlerë prej 750 milionë dollarë, ndonëse siç precizojnë mediet serbe, kompania e tij nuk ka fare përvojë në ndërtimin e rrugëve.