SHBA ‘i jep krahë’ Ukrainës, reagon Kremlini: Do të shkatërrohet më shumë!
Drita e parë jeshile për paketën amerikane të ndihmës për Ukrainën, në Perëndim shumë morën frymë të lehtësuar.
“Ky është një mesazh i mirë që Dhoma e Përfaqësuesve e mori vendimin vendimin për mbështetjen e mëtejshme financiare të Ukrainës me armë. Së bashku me mbështetjen europiane ky është një mesazh shumë i qartë për Vladimir Putin”, tha Scholz.
“Kjo na bën ne të gjithëve më të sigurtë, në Europë dhe në Amerikën e Veriut”, shkroi në platformën X edhe kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Rusia sakaq, e dënoi vendimin, të cilin zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov e përshkroi si të pritshëm dhe të parashikueshëm.
“Këto ndihma do t’i bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe më të pasura, ndërsa do ta shkatërrojnë akoma edhe më shumë Ukrainën, dhe do të shtojnë numrin e viktimave ukrainase”, u shpreh Peskov.
Zëdhënësi paralajmëroi edhe njëherë SHBA të heqë dorë nga konfiskimi i pasurisë ruse, duke theksuar se nëse kjo ndodh vërtet, Moska nuk do të qëndrojë duarkryq.
Me miratimin e 61 miliardë dollarëve ndihma për Ukrainën, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikane votoi në fundjavë edhe për konfiskimin e vlerave të pasurive të ngrira ruse për të financuar rindërtimin në masë të madhe të Ukrainës.
Projektligji kërkon tani edhe aprovimin e Senatit, por ai është praktikisht i garantuar.