SHBA i kërkon Kosovës të rishqyrtojë vendimin për dinarin
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme, ku është përmendur edhe dinari serb.
Ditë më parë, Banka Qendrore e Kosovës, e ka miratuar një rregullore për operacionet me para të gatshme që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e transaksioneve.
Kjo rregullore parashihet të hyjë në fuqi më 1 shkurt.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.
Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.
Në katër komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – valuta serbe përdoret edhe në objektet tregtare.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, t’i adresojë shqetësimet e shprehura prej komunitetit ndërkombëtar, dhe të ofrojë kohë për zbatim të vendimit, për të zbutur ndikimin që mund të ketë ai te banorët për të cilët vlen.
“Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë. Sipas ligjeve të Kosovës, si dhe në bazë të zotimeve që ka marrë Kosova me Planin e Ahtisarit, Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”.
Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.
Në rregulloren e BQK-së është thënë se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë janë e drejtë ekzekutive e saj.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – pati thënë se ky vendim i “regjimit të Albin Kurtit” është “vendim për dëbimin e serbëve nga këto zona pa përdorimin e armëve”.
Mes tjerash në reagim, Ambasada amerikane ka rikujtuar pse Kosova duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Asociacioni është mekanizmi primar, përmes së cilit Serbia do të mund të ofronte ndihmë financiare për institucionet dhe individët, nën kornizën ligjore të Kosovës”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.