ShBA-ja akuzon 6 rusë dhe 2 kazakë për reklama të rreme në internet
Prokurorët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë akuzuar tetë persona, shumica prej tyre rusë, për një mashtrim të dyshuar në internet me reklama të rreme, ka njoftuar Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Sipas këtij departamenti, skema e dyshuar, që ka nisur në vitin 2015, ka bërë që kompanitë të humbin dhjetëra miliona dollarë.
Dy nga të akuzuarit kanë operuar me një rrjet të reklamave të rreme, që ka prekur 1.7 milion kompjuterë dhe u ka kushtuar bizneseve mbi 29 milionë dollarë në të ardhurat nga reklamat, ka thënë Departamenti i Drejtësisë.
Akuzat janë ngritur kundër gjashtë shtetasve rusë dhe dy të Kazakistanit në një gjykatë të Nju Jorkut.
Akuzat përfshijnë ndërhyrjen në kompjuterë, vjedhje të rënda të identitetit dhe pastrim të parave.
Tre nga të akuzuarit Sergei Ovsyannikov, Aleksandr Zhukov dhe Yevgeny Timchenko janë arrestuar jashtë ShBA-së në javët e fundit, ndërsa të tjerët janë në arrati.
Konsullata e Rusisë në Nju Jork ka theksuar se është informuar për akuzat kundër gjashtë qytetarëve rusë dhe se po monitoron situatën.
Në Kazakistan, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Aibek Smadyarov, ka thënë se kjo ministri është duke verifikuar nëse dy të akuzuarit janë vërtet shtetas kazakë.