SHBA-ja akuzon Kinën për hakim të kërkimeve rreth koronavirusit
Hakerë të lidhur me Kinën janë duke shënjestruar organizata amerikane që po kryejnë kërkime për sëmundjen Covid-19, kanë thënë autoritetet në Shtetet e Bashkuara.
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Agjencia për Siguri Kibernetike dhe Siguri të Infrastrukturës, kanë thënë se janë duke hetuar “aktorë kibernetikë dhe koleksionistë jotradicionalë” të lidhur me Kinën, që kanë shënjestruar organizata, të cilat kanë kryer kërkime për koronavirusin në Shtetet e Bashkuara.
“Këta aktorë janë vëzhguar teksa kanë qenë duke tentuar që të identifikojnë dhe marrin pronë intelektuale dhe të dhëna të shëndetit publik që lidhen me vaksina, trajtime dhe testime të personelit të lidhur me sëmundjen Covid-19”, që shkakton koronavirusi, është thënë në deklaratë.
Megjithatë, ende nuk janë ofruar shembuj të aktivitetit kibernetik.
Autoritetet amerikane kanë akuzuar vazhdimisht Kinën për spiunim kibernetik, me qëllim të vjedhjes së pronës intelektuale.
Kina në anën tjetër mohon këto pretendime.
Ambasada kineze në Uashington, i ka konsideruar pretendimet e fundit si “gënjeshtra”.
Pandemia me koronavirus ka thelluar mospajtimet në mes të këtyre dy shteteve, pasi presidenti amerikan, Donald Trump akuzon Kinën se është përgjegjëse për përhapje të virusit në gjithë botën.
Kjo krizë ka shtuar presionin edhe në marrëveshjen tregtare në mes të SHBA-së dhe Kinës, të nënshkruar në muajin janar.
Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit republikanë kanë sugjeruar sanksione ekonomike dhe masa tjera të ashpra kundër Kinës, vendit ku ka shpërthyer pandemia me koronavirus vitin e kaluar./rel/