ShBA-ja arreston një pakistanez, dyshohej se bënte komplot për të vrarë udhëheqës
Një burrë pakistanez me lidhje të dyshimta me Iranin është akuzuar për komplot për të vrarë udhëheqës dhe zyrtarë amerikanë.
Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, e quajti skemën “komplot të rrezikshëm të vrasjes me porosi… drejtpërdrejt nga skenari iranian”, raporton televizioni BBC.
Asif Merchant, 46 vjeç, akuzohet se ka bërë përpjekje për të angazhuar një vrarës me pagesë në Nju-Jork për të vrarë zyrtarë të njohur amerikanë. Televizioni CBS citoi burime të kenë thënë se ish-presidenti Donald Trump ishte në mesin e shënjestrave.
Siguria për të nominuarin e republikanëve për zgjedhjet e nëntorit u shtua në qershor, pasi autoritetet kishin marrë vesh për një komplot iranian për vrasjen e tij.
“Një komplot i drejtuar nga jashtë për të vrarë një zyrtar publik, ose cilindo qytetar të ShBA-së, është kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare dhe do të përballet me fuqinë dhe burimet e plota të FBI-së” – tha të martën drejtori i kësaj agjencie.
Merchant-i u arrestua muajin e kaluar dhe është duke u mbajtur në ndalim në Nju-Jork.
Sipas aktakuzës së Departamentit të Drejtësisë, i dyshuari arriti në ShBA nga Pakistani në prill, pasi kishte kaluar kohë në Iran.
Pas arritjes në ShBA, dyshohet se ai kishte kontaktuar një person për të cilin besonte se mund ta ndihmonte në komplotin për vrasje. Personi i kontaktuar, emri i të cilit nuk është publikuar, më vonë e raportoi pakistanezin në polici.