ShBA-ja ashpërson rregullat për mediat shtetërore kineze
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë shpallur pesë medie shtetërore kineze, që veprojnë në ShBA, si “misione të huaja”, derisa ato janë kategorizuar si shpërndarëse të propagandës së Partisë Komuniste në Kinë.
Ky vendim i detyron këto media që të regjistrojnë punëtorët dhe pronat e tyre në ShBA në Departamentin amerikan të Shtetit.
“Nuk ka dyshime se të pesë subjektet janë pjesë e aparatit të lajmeve propaganduese të sponsoruara nga partia në Kinë, dhe se ata marrin udhëzime nga lart”, ka thënë një zyrtar për gazetarët në kushte anonimiteti.
“Ne e kemi ditur që këta persona janë kontrolluar nga shteti gjithmonë, mirëpo ky kontroll tani është forcuar, me aktivitete edhe jashtë Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ai.
Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe vlen për zyrat në ShBA në mediave si: Agjencia e lajmeve “Xinhua”, rrjeti televiziv “China Global”, Radio Ndërkombëtare e Kinës, Korporata për Shpërndarje Ditore të Kinës, dhe “Hai Tian Development USA”.
Pekini ende nuk ka reaguar për këtë çështje.
Tani e tutje, këto kompani duhet të njoftojnë Zyrën për Misione të huaja për personelin që kanë në Shtetet e Bashkuara dhe pronën që zotërojnë në tokën amerikane.
Ky është një tjetër vendim i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump ndaj Kinës.
Mospajtimet kanë nisur për shkak të tarifave tregtare, dhe janë përshkallëzuar në akuzat për spiunim kinez në ShBA.
Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka akuzuar katër anëtarë të ushtrisë kineze për vjedhje të informacioneve nga 145 milionë amerikanë, përmes hakimit më 2017.