ShBA-ja bllokon asetet e Bankës Qendrore të Afganistanit, talebanët s’kanë qasje
Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar rezervat e Bankës Qendrore të Afganistanit në llogaritë amerikane, duke ua pamundësuar talibanëve qasjen në miliarda dollarë.
“Asnjë aset i Bankës Qendrore, që ka Qeveria afgane në Shtetet e Bashkuara, nuk do të jetë i qasshëm për talibanët”, ka thënë administrata amerikane.
Administrata e Joe Biden ka marrë këtë vendim përgjatë fundjavës teksa talibanët kanë pushtuar Kabulin më 15 gusht dhe kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, shifra e rezervave të Bankës Qendrore ka qenë 9.4 miliardë dollarë në fund të prillit. Shumica e rezervave është thënë se ruhen në Bankën Federale të Rezervave në New York dhe institucione tjera amerikane. Në mesin e aseteve ka dollarë, ari dhe thesaret amerikane.
Përveç bllokimit të qasjes në asete, Washingtoni ka bllokuar edhe ndihmën për Afganistanin përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
Afganistani është një prej vendeve më të varfra në botë dhe varet tejet shumë nga ndihma e huaj, e cila mbulon rreth tri të katërtat e buxhetit shtetëror. /REL/