ShBA-ja, Britania dhe Italia me 54 vëzhgues në zgjedhjet e 30 qershorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Shqipëri ka akredituar sot vëzhguesit dhe përkthyesit e ambasadave të huaja që ndodhen në Tiranë dhe që do të ndjekin nga afër votimet e 30 qershorit për bashkitë.
“Top Channel”, ka raportuar se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të monitorojë votimet me të paktën 20 vëzhgues dhe 19 përkthyes.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka caktuar 4 vëzhgues dhe 3 përkthyes për 30 qershorin, po ashtu edhe Ambasada e Italisë ka akredituar 4 vëzhgues dhe 3 përkthyes.
Ndërkohë OSBE-ODIHR do të ketë të dielën 150 vëzhgues. Kjo organizatë ka regjistruar sot edhe 8 ekspertë të tjerë të çështjeve zgjedhore.
KQZ-ja ka marrë vendim edhe për akreditimin e dy televizioneve ndërkombëtare, siç është “Al Jazeera” dhe televizioni austriak “ORT”.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale, por mazhoranca e konsideron dekretin si antikushtetues dhe të pazbatueshëm. Dekreti nuk është njohur as nga KQZ-ja, ndërsa Kolegji Zgjedhor ka refuzuar të pranonte kërkesën e Partisë Uniteti Kombëtar për heqjen e emrit nga fleta e votimit pas vendimit të Metës.
Ndërkohë, zhvillime të reja priten mesditën e sotme, pasi në Presidencë po zhvillohen takime me drejtuesit e opozitën për krizën politike. Kryeministri Edi Rama ka refuzuar ftesën e Metës për dialog, duke theksuar edhe njëherë se zgjedhjet janë në 30 qershor.