ShBA-ja dërgon mbi 5 000 trupa në kufi me Meksikën
Pentagoni do të shpërndajë mbi 5 200 ushtarë në kufi me Meksikën, deri në fund të kësaj jave, për t’u përballur me një fluks të pritshëm të emigrantëve nga Amerika Qendrore.
Gjenerali Terrence O’Shaughnessy, komandant i Njësisë për Mbrojtjen e Hapësirës së Amerikës së Veriut, ka thënë se operacioni do të përqendrohet në Teksas, Arizona dhe Kaliforni.
Zyrtarët kanë thënë se trupat do të jenë të armatosura.
Rreth 800 ushtarë tashmë janë dërguar në Teksas në rol mbështetës, tha Kevin McAleenan, komisionar i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se karavani prej qindra migrantësh, që po vjen përmes Meksikës, do të përballet me ushtrinë.
Emigrantët janë ende rreth 1,600 kilometra larg kufirit me ShBA-në, raporton “Rel”.
Shumica kanë thënë se planifikojnë të kërkojnë azil në ShBA.
Në Shtetet e Bashkuara ekziston një detyrim ligjor, sipas së drejtës ndërkombëtare, për të dëgjuar kërkesat e emigrantëve që thonë se kanë mbërritur në ShBA për shkak të frikës nga dhuna në vendet e tyre.