ShBA-ja dhe BE-ja bëjnë thirrje që dialogu me Serbinë të jetë prioritet i qeverisë së re
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit i ka fituar zgjedhjet parlamentare në Kosovë më 14 shkurt, ka thënë se formimi i ekipit negociues për dialogun me Serbinë nuk është prioritet i tij, duke shtuar se është “prioritet i gjashtë ose i shtatë” për qytetarët e Kosovës. “Prioritetet tona janë punësimi dhe drejtësia”, ka deklaruar Kurti.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të begattë, më të qëndrueshme dhe të sigurt, shkruan “Epoka e re”.
Blinken ka thënë se ShBA-ja e përgëzon Kosovën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, ndërsa duartroket edhe përpjekjet e saj për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.
“Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e përqendruar në njohjen reciproke, do të kërkojë nga të gjitha palët të demonstrojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis”, ka deklaruar Blinken.
Ai i bëri këto komente në një letër dërguar autoriteteve të Kosovës, me rastin e 13-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. “Shtetet e Bashkuara i vlerësojnë lidhjet e forta midis njerëzve tanë dhe do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik”, ka pohuar Blinken.
Një ditë më herët, Kosovën e uroi edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili shprehu gatishmërinë për të punuar me Qeverinë e re të Kosovës në rrugën e integrimit evropian.
Edhe Bashkimi Evropian pret që dialogu të jetë ndër prioritetet kryesore, u pa edhe në reagimet e para nga Brukseli zyrtar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës.
Në një komunikatë të përbashkët, të lëshuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, përmendet dialogu si një nga çështjet për të cilat presin angazhim konstruktiv të qeverisë së re.
“Rruga evropiane e Kosovës po ashtu shkon edhe përmes normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve me Serbinë dhe BE-ja pret nga autoritetet në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, me qëllim të vazhdimit të takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ta shfrytëzojnë rastin që kanë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në komunikatën për medie.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se është për keqardhje që lideri i partisë fituese të zgjedhjeve në Kosovë, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se vazhdimi i dialogut me Serbinë nuk është një përparësi e tij. “Mendoj se ky është joseriozitet i elitave politike në Prishtinë. Dialogu është mënyra e vetme për të pasur një marrëveshje për normalizim, që do të nënkuptonte më shumë begati, përparim ekonomik dhe stabilitet. Unë nuk e di se çfarë tjetër mund të ishte prioritet më i madh”, ka deklaruar Bërnabiq.
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, kishte filluar para dhjetë vjetësh. Pas një ngecjeje gati dyvjeçare, procesi rifilloi verën e vitit të kaluar. Por, për shkak se Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare, raunde të reja të bisedimeve në nivel të lartë nuk ka pasur që nga vjeshta e vitit të kaluar, ndërkohë që janë zhvilluar vetëm disa takime në nivel të ekspertëve.
Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.