ShBA-ja dhe BE-ja i reagojnë ashpër Turqisë për mbylljen e partisë opozitare
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë kritikuar ashpër një lëvizje të Turqisë drejt ndalimit të Partisë Demokratike Popullore në opozitë, e cila përkrah kurdët.
Një prokuror turk i ka kërkuar gjykatës më të lartë në vend që ta ndalojë partinë e dytë më të madhe opozitare në Turqi, HDP, e cila njihet për përkrahjen që ia ofron pakicës kurde.
Departamenti i Shtetit i ShBA-së ka theksuar se shpërbërja e partisë HDP do ta përmbyste në mënyrë të padrejtë vullnetin e votuesve turq, do ta minonte edhe më tej demokracinë në Turqi dhe do t’ua mohonte miliona qytetarëve turq përfaqësimin e tyre të zgjedhur.
“Pa keqardhje drejt fundit të pluralizmit. Çfarë reagimi pret Turqia tani nga Bashkimi Evropian? Një agjendë pozitive?” ka thënë Nacho Sanchez Amor, raportues i Parlamentit Evropian për Turqinë, e cila është kandidate për anëtarësim në BE, ndonëse bisedimet për këtë temë kanë ngecur për një kohë të gjatë.
Konteksti i rastit
HDP-ja është partia e tretë me numrin më të madh të ulëseve në kuvend. Ajo ka mohuar se ka ndonjë lidhje me militantët. “Rasti kundër nesh është një goditje e rëndë për demokracinë dhe ligjin”, thuhet në deklaratën e kësaj partie.
Viteve të fundit, autoritetet në Turqi i kanë hetuar ose i kanë burgosur ligjvënësit e kësaj partie, përfshirë ish-kryetarin e saj, Selahattin Demirtas.
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, për një kohë të gjatë e ka akuzuar këtë parti se është fasadë politike e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është e ndaluar në Turqi.
Turqia madje e cilëson këtë parti si grup terrorist. Të njëjtin cilësim për të e kanë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit ka organizuar kryengritje kundër qeverisë turke që nga viti 1984, duke bërë thirrje për më shumë të drejta dhe liri për pakicën kurdë. Dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë në konflikt.