ShBA-ja dhe BE-ja të shqetësuara për tensionet e vazhdueshme në veri
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh), ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës.
DASh-i ka theksuar se ShBA-ja dhe BE-ja mirëpresin garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.
Sipas DASh-it, BE-ja dhe ShBA-ja u bëjnë thirrje të gjithëve që të marrin veprime të menjëhershme për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Tensionet në veri janë ngritur që nga nëntori, kur serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës. Por, tensionet kanë kulmuar me vendosjen e barrikadave më 10 dhjetor nga disa serbë lokalë, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.
Dejan Pantiq dyshohet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai ishte duke u mbajtur në paraburgim në një stacion policor në Jarinjë, por avokati i tij tha më 28 dhjetor, se Pantiqit i është ndryshuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Për shkak të barrikadave, rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, janë bllokuar.
Këto dy pika kufitare, që nga 10 dhjetori janë të mbyllura. Autoritetet në Kosovë më 27 dhjetor kanë mbyllur edhe pikën kufitare të Merdares, pasi në anën serbe të kufirit, u vendosën barrikada.
Për vendosjen e barrikadave, Kosova ka fajësuar “grupet kriminale” që mbështeten nga Serbia. Beogradi ndërkaq ka shprehur përkrahjen për barrikadat dhe ka thënë se ato nuk do të hiqen deri kur Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Së fundi, veri janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ata të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe gazetarët.