SHBA-ja dhe BE-ja të rrisin angazhimin në Ballkanin Perëndimor
Ballkani Perëndimor ndeshet sot me shumë rreziqe dhe ka nevojë për një angazhim më të madh nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Ky është përfundimi i një studimi të ri që iu prezantua ditët e fundit në Uashingotn.
Autorë të tij janë ish diplomatë të njohur amerikanë, Thomas E. Graham, Jonathan Levitsky, Cameron Munter dhe Frank Wisner. Sipas tyre anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE është mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë ndikimeve negative në rajon nga Rusia, Kina dhe Turqia.
Pjesëmarrësit në diskutimin e zhvilluar në Institutin Amerikan të Paqes shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me zhvillimet negative në Ballkanin Perëndimor. Ambasadori Frank Wisner, ish i dërguar i posaçëm i Departamentit të Shtetit në bisedimet e vitit 2005-2006 mes Prishtinës dhe Beogradit, tha se disa nga rreziqet kryesore sot në Ballkanin Perëndimor janë përkeqësimi i qeverisjes, rreziku i tensioneve etnike, si dhe ndikimi negativ i disa faktorëve të huaj.
“Ndërhyrja destabilizuese e Rusisë, në veçanti, shtimi i pranisë kineze, të cilët megjithëse ende nuk kanë shpallur një kurs të qartë politik për Ballkanin, përmes investimeve, janë në rrugë për t’u bërë një aktor serioz në rajon pa përfillur fare standartet evropiane dhe parimet e perëndimit. Edhe Turqia, me modelin e saj të një vendi autoritar islamik paraqet një sfidë për të ardhmen transatlantike të Ballkanit. Të gjithë këta faktorë janë të rinj dhe në qendër të vëmendjes sonë”.
Ish-diplomati amerikan, Jonathan Levitsky, ish ndihmës i të dërguarit amerikan për Ballkanin Richard Holbrooke, theksoi se rënia e angazhimit diplomatik të Perëndimit në rajon në vitet e fundit është shqetësuese.
“Në një masë të madhe vëmendja diplomatike amerikane është larguar nga rajoni, duke filluar pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Synimi ynë nuk është që të kthehemi në të njejtin nivel angazhimi në Ballkan si në fund të viteve 1990. Shpresojmë që kjo kurrë të mos jetë e nevojshme. Por, një angazhim relativisht i vogël sot mund të ketë një ndikim të madh në parandalimin e përkeqësimit të gjendjes dhe nevojën për një angazhim shumë më të madh në të ardhmen”.
Boshllëku i krijuar nga mungesa e një angazhimi të nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në dhjetë vitet e fundit, po shfrytëzohet nga vendet si Rusia, Kina dhe Turqia, thotë ish këshilltari i presidentit George Bush për çështjet e Rusisë Thomas Graham, sot me organizatën “Kissinger Associates Inc.”
“Një angazhim në një nivel më të lartë nga Perëndimi është një element i rëndësishëm kundër këtyre ndikimeve, duke i dhënë banorëve të rajonit shpresën se ekziston një alternativë, se Perëndimi është i interesuar për rajonin, se ekzsiton një rrugë për të ecur përpara që do të sjellë më shumë siguri, qëndrueshmëri dhe begati në rajon në aspektin afatgjatë”.
Pjesëmarrësit në këtë diskutim thanë se shtimi i përpjekjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe në Nato është gjithashtu një mënyrë e efektshme për t’iu kundërvënë ndikimit negativ nga jashtë. Në këtë kontekst, ambasadori Frank Wisner tha se Uashingtoni dhe Brukseli duhet të ndihmojnë vendet e Ballkanit të zgjidhin problemet mes tyre dhe mos ta pengojnë njëri-tjetrin në procesin e integrimeve euro-atlantike. Zoti Wisner tha se duhet t’i jepet një shtytje më e madhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ne kemi thënë në mënyrë shumë të qartë se nuk duhet të lejohet asnjë vend i ri i Bashkimit Evropian të ketë të drejtën e vetos në lidhje me anëtarësimet e ardhshme. Pra, që Serbia të mos jetë në gjendje të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në BE. Unë e di që ky është edhe qëndrimi i kancelares gjermane Angela Merkel dhe ne gjithashtu jemi plotësisht dakord me këtë qëndrim”.
Në Raportin “Koha për Veprim në Ballkanin Perëndimor – Rekomandime për Diplomacinë Amerikane”, theksohet se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të sjellë si rezultat pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Në raport, autorët rekomandojnë që KFOR-i të vazhdojë praninë në Kosovë, por një bazë e përhershme ushtarake e Natos ose e Shteteve të Bashkuara nuk do të ishte e nevojshme sepse do të provokonte Serbinë dhe Rusinë. Raporti gjithashtu rekomandon krijimin e një force mbrojtëse të Kosovës, të armatosur lehtë. /VoA