ShBA-ja dhe Kina me qëndrime të kundërta në samitin aziatik të ekonomisë
Samiti ekonomik në Azi ka përfunduar pa ndonjë deklaratë nga liderët për shkak të luftës tregtare në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Kryeministri i Papa Guinesë së Re, Peter O’neill, ka thënë se të dy fuqitë botërore nuk kanë arritur të pajtohen.
ShBA-ja dhe Kina janë në luftë tregtare dhe kanë qëndrime të kundërta për rajonin të cilat i kanë shfaqur edhe në samit.
Gjatë samitit, zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, ka thënë se ShBA-ja do t’i bashkohej Australisë në ndërtimin e një baze detare në Papa Guinenë e re, për të penguar influencën kineze në rritje si dhe për të mbrojtur sovranitetin.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka deklaruar se shtetet që mbrojnë produktet nga konkurrenca janë të prirura të dështojnë.
Pence më vonë tha se ishte i gatshëm të “dyfishonte” tarifat e vendosura mbi mallrat kineze.
Shtëpia e Bardhë muaj më pare kishte njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të ashpërsojnë masat në luftën tregtare me Kinën, duke aplikuar tarifa prej 10 për qind në mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve.
Vala e re e tarifave është masë, e cila pritet të rezultojë me përshkallëzim të madh të konfliktit tregtar. (Rel)