SHBA-ja dhe Kina nënshkruajnë pjesën e parë të marrëveshjes tregtare

16 janar 2020 | 11:51

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen ekonomiko-tregtare të fazës së parë.

Presidenti amerikan Donald Trump e quajti nënshkrimin e marrëveshjes një gjë shumë të rëndësishme. “Sot po hedhim një hap të rëndësishëm, një hap që nuk kemi hedhur kurrë më parë me Kinën, drejt një të ardhmeje me tregti të ndershme e të ndërsjellë, duke nënshkruar marrëveshjen historike të fazës së parë mes ShBA-së dhe Kinës”, ka deklaruar Trump.

Kurse, zëvendëskryeministri kinez Liu He ka deklaruar se kjo marrëveshje është në të mirë të të dyja palëve dhe tërë botës. “Kjo është një marrëveshje me përfitime të përbashkëta. Ajo do të sjellë rritjen e qëndrueshme ekonomike, paqen e lulëzimin botëror, dhe është në interesin e prodhuesve, konsumatorëve dhe investitorëve të të dy vendeve”, ka thënë Liu, duke shtuar se nëse tregu mbetet i fortë, Kina çdo vit do të blejë produkte amerikane me vlerë 40 miliardë dollarë.

Nënshkrimi i marrëveshjes shënon një përparim i madh, teksa dy ekonomitë më të mëdha të botës kanë qenë të përfshira të 22 muajt e fundit në një luftë të ashpër tregtare, duke vendosur tarifa ndaj produkteve të njëra-tjetrës.

Marrëveshja tregtare e fazës së parë midis Kinës dhe ShBA-së përbëhet nga nëntë kapituj, duke përfshirë fusha të tilla si të drejtat e pronësisë intelektuale, tranferimi i teknologjisë, produktet ushqimore e bujqësore, shërbimet financiare, kursi i këmbimit dhe transparenca.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Naim Krasniqi, fizikan Fizika dhe kimia simetrike, udhëtim drejt…