SHBA-ja dhe OKB-ja dënojnë sulmin në Iran
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara kanë dënuar sulmin vdekjeprurës gjatë një parade ushtarake në Iran, ku sipas medies shtetërore u vranë të paktën 25 persona dhe u plagosën 60 të tjerë.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë të gjitha aktet e terrorizmit dhe humbjes së jetëve të pafajshme”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert.
“Ne qëndrojmë përkrahë popullit iranian kundër goditjes së terrorizmit radikal islamik dhe shprehim simpatinë tonë ndaj tyre në këtë kohë të tmerrshme”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres përmes një deklarate për media ka theksuar se dënon “sulmin në qytetin Ahvaz”.
Në këtë deklaratë ai ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave “dhe për qeverinë dhe popullin e Iranit”.
Agjencia e lajmeve “Irna” ka raportuar duke cituar “burime” të besueshme, se sulmues të veshur me uniforma ushtarake kanë hapur zjarr në ngjarjen që po mbahej në qytetin Ahvaz, ku ishin mbledhur zyrtarët iranianë për të përcjellë paradën ushtarake që shënonte nisjen e luftës së vitit 1980-88 në mes të Iranit dhe Irakut.
Ministria e Jashtme iraniane ka fajësuar “terroristët e paguar nga regjimi i huaj” për sulmin, transmeton “REL”.