SHBA-ja dhe Rusia përplasen rreth Sirisë
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë përplasur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rreth dyshimeve se Qeveria e Sirisë ka përdorur sërish armët kimike në një zonë të kontrolluar nga rebelët.
Ambasadorja e SHBA-së, Nikki Haley, e ka akuzuar Rusinë për bllokimin e hetimeve mbi përdorimin e mundshëm të armëve kimike nga ushtria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, në provincën e Goutas Lindore.
Sulmi ka ndodhur në fundjavë dhe Haley ka thënë se Rusia i bllokon hetimet pavarësisht “dëshmive të dukshme për dhjetëra viktima”.
“Rusia ka vonuar miratimin e deklaratës – dënimit të thjeshtë të vrasjes së fëmijëve sirianë me gaz klori. Ky Këshill ka qenë i zëshëm duke kërkuar fundin e përdorimit të armëve kimike në Siri dhe ata ende vazhdojnë”, ka thënë ajo.
Rusia, e cila kryen operacione ushtarake në Siri, në mbështetje të Assadit, qysh në vitin 2015, i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si “shpifje”.
“Shihet qartë se qëllimi është të akuzohet Qeveria siriane për përdorimin e armëve kimike, por asnjë autor nuk është identifikuar”, ka theksuar ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia.
Në një tjetër zhvillim, Departamenti amerikan i Shtetit, ka thënë përmes një deklarate së ShBA-ja “është shumë e shqetësuar” nga dyshimet e vazhdueshme për përdorimin e gazit të klorit nga forcat siriane, me qëllim “terrorizmin e civilëve të pafajshëm”.
Deklarata ka vënë në dukje se ka prova për gjashtë sulme të raportuara me armë kimike në 30 ditët e kaluara.
“Duke mbrojtur regjimin sirian nga llogaridhënia, Rusia nuk i përmbush angazhimet e saj. Përdorimi i armëve kimike nga të gjitha palët në Siri duhet të ndalet. Njerëzit e Sirisë po vuajnë; pjesa tjetër e botës po vëzhgon”, është thënë në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
Siria e ka mohuar vazhdimisht përdorimin e armëve kimike. Një ekip hetues i OKB-së ka gjetur po ashtu se grupi ekstremist Shteti Islamik ka qenë përgjegjës për përdorimin e gazit mustardë në vitin 2015.
Rusia i ka dhënë Asadit mbështetje të madhe diplomatike gjatë gjithë luftës, duke përdorur forcën e vetos si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, në mbrojtje të tij dhe të qeverisë së tij.
Lufta në Siri ka nisur në vitin 2011 dhe ka lënë të vrarë mbi 400.000 njerëz dhe ka zhvendosur miliona.
Moska e ka mbështetur Asadin edhe në fushën e betejës. Ajo ka nisur një fushatë të sulmeve ajrore kundër kundërshtarëve të Qeverisë siriane në vitin 2015 dhe ka rritur përfshirjen e saj ushtarake në terren. (Rel)