SHBA-ja dhe Rusia sot tërhiqen nga Traktati Bërthamor

02 gusht 2019 | 11:40

Një marrëveshje e rëndësishme bërthamore, që eliminoi një klasë të tërë raketash, merr fund të premten, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia tërhiqen zyrtarisht nga traktati 31-vjeçar.

Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi është nënshkruar në vitin 1988 nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, dhe udhëheqësi i Bashkimit të atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbachev, dhe i ka ndaluar të dyja palët të zhvillojnë dhe prodhojnë raketa me rreze nga 500 deri në 5,500 kilometra.

Uashingtoni ka paralajmëruar qysh vitin e kaluar se do të tërhiqet nga Traktati, duke e akuzuar Rusinë për mosrespektimin e tij. Moska ka mohuar se e ka shkelur.

Kritikët kanë paralajmëruar se tërheqja nga Traktati mund të çojë në garë të re armësh ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë – shtetit pasardhës të Bashkimit Sovjetik. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje të dyja vendeve që të zgjasin Traktatin. “Bota do të humbasë një frenë jetike në luftën bërthamore, nëse Traktati përfundon. Kjo me siguri se do të rrisë, jo zvogëlojë, kërcënimin që paraqesin raketat balistike”, ka deklaruar Guterres.

Më 1 shkurt, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte paralajmëruar se SHBA-ja do të tërhiqet zyrtarisht nga Traktati më 2 gusht.

Kurse,  Rusia ka njoftuar në mars se presidenti Vladimir Putin ka nënshkruar, po ashtu, dekretin për braktisjen e Traktatit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas “TalkSport”, Manchester United i ka ofruar 80 milionë sterlina…