SHBA-ja dhe talibanët nënshkruajnë marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në Afganistan
Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë nënshkruar marrëveshje historike, që ka për qëllim dhënien fund të konfliktit në Afganistan.
SHBA-ja është pajtuar që të tërheqë trupat nga Afganistani brenda 14-muajsh, nëse militantët talibanë i përmbahen marrëveshjes.
Ky pakt është arritur pas nëntë raundeve të bisedimeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve në Katar.
Aktualisht, në Afganistan janë 13 mijë trupa amerikane.
Talibanët po ashtu janë zotuar se do të zhvillojnë bisedime direkte me qeverinë në Kabul.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe liderët talibanë, ishin të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Doha të Katarit.
“Ne ende jemi në fillim”, tha sekretari Pompeo para nënshkrimit të marrëveshjes.
“Ulja e konsiderueshme e dhunës do të krijojë kushte për paqe”, tha ai.
Sekretari Pompeo shtoi se afganët duhet të jetojnë në paqe dhe prosperitet dhe të respektojnë të drejtat e grave, teksa SHBA-ja duhet të sigurohet se nuk do të ketë kërcënim terrorist nga ky vend.
Duke folur në Kabul, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper tha se SHBA-ja nuk do të hezitojë ta anulojë marrëveshjen, nëse talibanët nuk i përmbahen asaj.
“Nëse talibanët i përmbahen marrëveshjes, SHBA-ja do të nisë reduktimin e forcave”, tha ai, duke e quajtur arritjen e kësaj marrëveshjeje “një moment të rëndësishëm në procesin e paqes”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se kjo marrëveshje është “hapi i parë drejt paqes së qëndrueshme”.
“Rruga drejt paqes është e gjatë dhe e vështirë. Ne duhet të përgatitemi për pengesa, nuk ka rrugë të letë të paqes, por ky është një hap i parë i rëndësishëm”, tha Stoltenberg për gazetarët në Kabul.
Bashkimi Evropian mirëpriti marrëveshjen e paqes duke thënë se këto janë “hapat e parë të rëndësishëm” drejt zgjidhjes së përhershme të konfliktit në Afganistan.
“Mundësia e tanishme për të ecur drejt paqes nuk duhet të shpërdorohet”, tha shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell përmes një deklarate, duke shtuar se “pa vonesë”, duhet që të gjitha fraksionet politike dhe grupet e shoqërisë të përfshihen në negociata.
“Konflikti ka nevojë për një zgjidhje politike që respekton të drejtat e njeriut, të dretjat e grave dhe adreson të gjitha çështjet”, tha ai.
Sipas marrëveshjes, talibanët janë pajtuar që të ndalin sulmet dhe të mos lejojnë grupin terrorist, Al-Kaida që të operojë në zonat që ata kontrollojnë.
Nënshkrimi i marrëveshjes vjen një javë pasi forcat e udhëhequra nga SHBA-ja dhe talibanët u pajtuan që të reduktojnë dhunën.