SHBA-ja do të dërgojë ventilatorë në Rusi
Shtetet e Bashkuara do të dhurojnë 200 ventilatorë mjekësorë në Rusi, pasi ky vend po përballet me numër të lartë të të infektuarve nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Javën e ardhshme do të realizohet dërgesa e parë prej 50 ventilatorëve.
Më 8 maj presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump kishte ofruar ndihmë për Rusinë, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Trump më vonë tha se Putini e kishte pranuar ofertën.
Sidoqoftë, një njoftimin për bisedën mes presidentëve, Kremlini nuk e kishte përmendur ndihmën.
Rusia nuk e ka konfirmuar për Zërin e Amerikës se do të pranojë ndihmë nga SHBA-ja.
Pas Shteteve të Bashkuara, Rusia ka numrin e dytë më të lartë të rasteve të raportuara me COVID-19 në botë.
Në muajin prill Rusia dërgoi ventilatorë në Shtetet e Bashkuara pasi qytetet si Nju Jorku, u përballën me mungesë të këtyre pajisjeve mjekësore.
Uashingtoni tha se kishte paguar për pajisjet./VoA