SHBA-ja do t`i konsiderojë kartelet meksikane të drogës si organizata terroriste

28 nëntor 2019 | 11:56

SHBA-ja do të përcaktojë kartelet meksikane të drogës si organizata terroriste, ka deklaruar të martën presidenti amerikan Donald Trump, pasi grupet e dhunshme vazhdojnë të mbajnë kontroll të fortë dhe vdekjeprurës në vendin e Amerikës Latine.

“Nuk dua të them se çfarë do të bëj, por ato do të përcaktohen”, ka thënë Trump në një intervistë me ish-gazetarin e “Fox News”, Bill O’Reilly, duke shtuar se udhëheqja e Meksikës hodhi poshtë ofertën e tij “për të na lënë të hyjmë dhe të pastrojmë”.

Në fillim të këtij muaji, Trump i ofroi ndihmë Meksikës pasi nëntë anëtarë amerikanë të komunitetit Mormon u vranë në një pritë vdekjeprurëse nga njerëz të dyshuar të kartelëve të drogës në një autostradë meksikane.

Komuniteti LeBaron, një pjesë e komunitetit Mormon që u shkëput nga Kisha Mormon dhe formoi një sekt në Meksikë, plotësoi një peticion të hënën duke i kërkuar administratës së Trump të radhiste kartelet e drogës meksikane si organizata të huaja terroriste.

Në peticion thuhet se kartelet “kontrollojnë fluksin e drogave të paligjshme në SHBA nga Meksika, përfshirë heroinën, metamfetaminën, kokainën dhe fentanilin ultra-vdekjeprurës”.

“Kështu që ju do të përcaktoni kartelet meksikane si grupe terroriste?”, pyeti gazetari O’Reilly.

“Po, do ta bëj. Do t’i përcaktoj kartelet. Absolutisht”, është përgjigjur Trump, duke shtuar se ka punuar në këtë për 90 ditët e fundit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Dita…