ShBA-ja dorëzon bazën Bagram te forcat afgane
Ushtria amerikane u dorëzoi bazën Bagram forcave afgane të sigurisë, pas gati 20 vjetësh.
Baza, e ndërtuar nga sovjetikët, është struktura më e madhe ushtarake e përdorur nga forcat amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, gjatë luftës së tyre kundër militantëve talibanë.
“Të gjitha forcat e koalicionit janë larguar nga Bagrami”, i tha një zyrtar amerikan agjencisë së lajmeve AFP.
Largimi i tyre mund të sinjalizojë se tërheqja e plotë e forcave të huaja nga Afganistani është afër.
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka thënë se forcat amerikane do të largohen tërësisht nga ky vend deri më 11 shtator.
Ngjashëm janë zotuar edhe aleatët tjerë të NATO-s.
Më 11 shtator shënohet 20-vjetori i sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA – ngjarje kjo që ka çuar në ndërhyrjen e huaj në Afganistan. Uashingtoni ka refuzuar të tregojë se kur do të largohen ushtarët e fundit amerikanë nga Afganistani, duke përmendur shqetësimet për sigurinë.
Talibanët, ndërkohë, kanë marrë kontrollin e disa qarqeve, duke shkaktuar frikë për shpërthimin e mundshëm të luftës civile, pas largimit të forcave të huaja./rel/