SHBA-ja: E dinim fatin e Prigozhin
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë pohuar se ata e kishin të qartë se cili do të ishte fati i shefit të grupimit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili është raportuar se ka mbetur i vrarë pas një aksidenti me avion privat, ku në bord ishin 10 persona, përfshi edhe drejtuesin tjetër madhor të Wagner, Dmitry Utkin.
Po ashtu, zyrtarët amerikanë kanë pohuar për mediat vendase se presidenti Joe Biden është informuar mbi gjithçka për rastin e Prigozhin dhe është në dijeni të rastit.
Nga ana tjetër, “fatin” e Prigozhin e kanë pohuar edhe nga grupimi mercenar, përmes një drejtuesi madhor të batalionit në rajonin e Zaporizhzhia, Vladimir Rogov, i cili tha se shefi i tyre, Yevgeny Prigozhin dhe drejtuesi madhor, Dmitry Utkin, kanë mbetur të vrarë nga një aksident ajror në dalje të Moskës.
Lajmin se Prigozhin ka mbetur i vdekur nga kjo ngjarje e kanë publikuar fillimisht mediat ruse, duke shpjeguar se ka pasur një aksident ajror me një avion privat në zonën Tver Oblast të Rusisë, sipas Agjencisë Federale Ruse për Transportin Ajror.
Lajmin më tej e kanë pasqyruar dy prej gazetave kryesore ruse, TASS dhe Kommersant.
Sipas publikimit të gazetave ruse, 10 pasagjerë kanë qenë në radhët e viktimave dhe një prej tyre është pikërisht shefi i grupimit mercenar Wagner, Yevgeni Prigozhin.
“Ka nisur një hetim për rrëzimin e avionit Embraer, i cili ndodhi sonte në rajonin e Tverit. Sipas listës së pasagjerëve, midis tyre është emri dhe mbiemri i Yevgeny Prigozhin”, shkruhet në njoftim.
Sipas Ministrisë ruse të Emergjencave, në bordin e avionit të rrëzuar ndodheshin 10 persona, përfshirë tre anëtarë të ekuipazhit. Sipas informacioneve paraprake, të gjithë në bord u vranë.
Disa prej burimeve pranë vendit të ngjarjes ndërkaq, kanë raportuar edhe vdekjen e Dmitry Utkin, një prej zyrtarëve më të lartë të Wagnerit, i cili po ashtu mendohet se ndodhej në bordin e avionit privat.
Një prej kanaleve të Wagner në Telegram, i emërtuar “Grey Zone”, ka raportuar ngjarjen duke thënë se avioni u rrëzua nga mbrojtja ajrore në rajonin Tver, i cili ndodhet në veri të Moskës.
Ndërsa, menjëherë kanë nisur edhe spekulimet se pas kësaj ngjarjeje nuk mundet veçse të fshihet dora e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili pa diskutim me Prigozhin e kishte një çështje të hapur atë post-rebelimit.
Prigozhin mori emër mbi të gjitha për një revoltë të zhvilluar më 24 qershor, në të cilën përmes grupimit të tij mercenar, ai u fut në Rusi dhe nisi një marshim drejt Moskës, ku kërkoi deri edhe rrëzimin nga pushteti të Vladimir Putin në një pikë.
Por, rebelimi zgjati vetëm 24 orë, pasi në bisedime intensive me liderin bjellorus, Alexander Lukashenko, u arrit një marrëveshje për tërheqjen e Wagner nga Rusia dhe ekzilin e tyre në Bjellorusi, ku u angazhuan për dy muaj në trajnimin e forcave bjelloruse në kufi me Ukrainën.
Roli i Wagner në luftën e Ukrainës ka qenë i plotë, ku luftimet më intensive i ka zhvilluar në fshatin Bakhmut, për mbi gjashtë muaj kundër forcave ukrainase, duke arritur ta marrë territorin.
Megjithatë, kjo me një kosto shumë të lartë, pasi gjysma e trupave të Wagner u vranë në fushëbetejë.
Kjo e çoi Prigozhin në një rebelim të avashtë, me replika të ashpra në distancë kundër ministrit rus të Mbrojtjes, Sergey Shoigu, të cilin e ka akuzuar disa herë se ka kërkuar t’i shfarosë dhe ushtarët e Wagner nga faqja e dheut.
Së fundmi, ai ishte shfaqur në një video në Afrikë, të cilën e publikoi në kanalet e Wagner në Telegram.
Wagner besohet se ka mijëra luftëtarë në kontinentin e zi, ku ka interesa biznesi fitimprurës.
Ushtarët e Prigozhin janë të ngulitur në vende duke përfshirë Malin dhe Republikën e Afrikës Qendrore (CAR) – ku grupet e të drejtave të njeriut dhe OKB-ja i akuzojnë ata për kryerjen e krimeve të luftës.