ShBA-ja e shpall grup terrorist Ushtrinë Çlirimtare të Baluçistanit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e kanë shpallur grupin separatist pakistanez Ushtria Çlirimtare e Baluçistanit (BLA), si grup terrorist.
Uashingtoni është duke u angazhuar të ndalojë qasjen e këtij grupi në burime që mund t’i përdorin për planifikimin dhe kryerjen e sulmeve militante.
Në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit, është thënë se BLA-ja “është një grup separatist i armatosur, që kryesisht shënjestron forcat e sigurisë dhe civilët, shumica banorë etnik të rajonit Baluç në jugperëndim të Pakistanit”.
ShBA-ja ka theksuar se ky grup ka kryer sulme vetëvrasëse në muajin gusht të vitit 2018-të, ku kanë qenë të shënjestruar inxhinierët kinezë në Pakistan, ndërkaq në nëntor të po të njëjtit vit, ata kanë sulmuar Konsullatën e Kinës në Karaçi. Një sulm tjetër i kryer nga ky grup, është ai i majit të vitit 2019-të, në një hotel luksoz në jugperëndim të Pakistanit.
Në provinca Baluçistan është zhvilluar një kryengritje e nivelit të ulët nga separatistët që kërkonin më shumë autonomi dhe një pjesë më të madhe në burimet natyrore të rajonit.