ShBA-ja fut një parti të Pakistanit në listën terroriste
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e kanë futur partinë politike të Pakistanit “Liga Myslimane Milli” në listën e organizatave të huaja terroriste për, siç është thënë, lidhjet e dyshuara me një grup militant, i cili është fajësuar për sulmet në Mumbai, më 2008.
Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet një deklarate e ka shpallur “Ligën Myslimane Milli” grup të huaj terrorist, për shkak se ka operuar bashkë me grupin Lashkar-e Taiba, i cili po ashtu është në listën terroriste të ShBA-së, raporton “Rel”.
Edhe një grup tjetër, Tehreek-e-Azadi-e-Kashmir, i lidhur me Lashkar-e Taiban, i cili operon në Kashmir – pjesën e administruar nga India – është futur në listën terroriste të ShBA-së.
Shtetet e Bashkuara dhe India e fajësojnë Lashkar-e Taiban për sulmet e vitit 2008 në Mumbai, ku kanë mbetur të vrarë 166 veta.
Themeluesi i grupit, Hafiz Saeed, e ka mohuar përfshirjen.