ShBA-ja, gati mega marrëveshjen për dërgimin e armëve në Tajvan

30 gusht 2022 | 14:31

Marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Kinës janë gati të arrijnë një pikë tjetër të tensionimit. ShBA-ja ka vendosur të dërgojë armë në Tajvan.

Sipas një raporti, qeveria amerikane planifikon të mbështesë Tajvanin me armë në vlerë prej rreth 1.1 miliard dollarë. E përditshmja “Politico”, duke cituar tre persona të brendshëm të paidentifikuar, ka shkruar se qeveria amerikane është duke kërkuar nga Kongresi miratimin e një projektligji përkatës. Paketa përfshin 60 raketa kundër anijeve dhe 100 raketa ajër-ajër. Megjithatë, fokusi është në mirëmbajtjen operacionale të sistemeve aktuale ushtarake të Tajvanit dhe përmbushjen e kërkesave ekzistuese dhe jo në zgjerimin e sistemeve të armatimit, sipas gazetës.

Nuk ka ende ndonjë konfirmim zyrtar të të dhënave nga ky artikull. Një dërgesë e tillë armësh ka të ngjarë të përkeqësojë tensionet tashmë ekzistuese midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës. Marrëdhëniet arritën pikën më të ulët pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Tajvan, në fillim të këtij muaji, duke sfiduar kërcënimet nga Republika Popullore e Kinës.

Pas kësaj vizite Pekini ka nisur manovra ushtarake në shkallë të gjerë rreth ishullit të qeverisur në mënyrë demokratike. Janë bërë stërvitje për një bllokadë detare dhe ajrore në rast pushtimi të mundshëm të Tajvanit. Pavarësisht kësaj, delegacione të tjera me politikanë amerikanë kanë udhëtuar në Tajvan menjëherë pas manovrave. Të dielën javë së kaluar, forcat amerikane kanë lejuar anijet luftarake të kalonin nëpër ngushticën e Tajvanit për herë të parë që nga vizita e Pelosit. Kina ka folur për një “provokim”. Republika e Tajvanit është ndarë nga Kina në vitin 1949 pas fitores së komunistëve nën Mao Ce Dunin në luftën civile. Deri më sot, Pekini e konsideron Tajvanin si një provincë të shkëputur që do të ribashkohet me kontinenti –  nëse është e nevojshme duke përdorur edhe forcën ushtarake. Agresioni rus në Ukrainë ka përforcuar këtë frikë.

Ndërsa ShBA-ja e ka njohur udhëheqjen në Pekin si përfaqësuesin e vetëm të Kinës që nga viti 1979 dhe si shumica e vendeve  nuk ka marrëdhënie zyrtare me Tajvanin. Megjithatë, ShBA-ja është zotuar me ligj se do të furnizojnë Tajvanin me pajisje ushtarake për të siguruar aftësinë e tij mbrojtëse. Uashingtoni është duke treguar një “paqartësi strategjike” duke mos u përgjigjur qartë nëse ushtria amerikane do të ndërhynte në rast të një pushtimi kinez të Tajvanit./DW/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri Alexander Nubel e ka prishur qetësinë te Bayern Munchen.…