SHBA-ja godet kartelin e fuqishëm meksikan, përfshirë tre djemtë e El Chapos
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka paditur 28 anëtarë të kartelit të fuqishëm Sinaloa të Meksikës, duke përfshirë djemtë e bosit famëkeq të drogës Joaquin “El Chapo” Guzman, në një hetim të gjerë të trafikut të fentanilit.
Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, bëri publike akuzat të premten. Akuzat u ngritën kundër drejtuesve të kartelit, si dhe ndaj furnizuesve të dyshuar, menaxherëve të laboratorëve, trafikantëve të fentanilit, drejtuesve të sigurisë, financuesve dhe trafikantëve të armëve, raportoi The Guardian.
Aktakuzat e shpallura të premten akuzojnë tre nga djemtë e El Chapos – Ovidio Guzman Lopez, Jesus Alfredo Guzman Salazar dhe Ivan Archivaldo Guzman Salazar – të cilët njihen si Chapitos, ose Chapot e vegjël, dhe që kanë fituar një reputacion si grupi më i dhunshëm dhe agresiv i kartelit.