ShBA-ja hap rrugën për shitje të armëve Emirateve Arabe
Administrata e presidentit Donald Trump i ka shfajësuar Emiratet e Bashkuara Arabe nga shkeljet dhe e ka miratuar shitjen e mundshme të mijëra automjeteve të blinduara ushtarake në këtë shtet, pavarësisht prej dëshmive se ky vend u ka dërguar armë grupeve të armatosura në Jemen në mënyrë të paautorizuar.
Jemeni është përfshirë nga një luftë e rëndë civile, në të cilën Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po i ofrojnë përkrahje qeverisë kundër rebelëve Houthi, që mbështeten nga Irani. Sidoqoftë, prania e armatimit amerikan në këtë konflikt vetëm sa ka ndikuar në shtimin e luftimeve.
Sipas një hulumtimi të televizionit CNN në shkurt të vitit të kaluar, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë furnizuar me armatim amerikan luftëtarët e lidhur me grupin “Al Qaeda”, milicitë e grupit “Salafi” dhe disa grupe të tjera në Jemen, pavarësisht prej marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara.
Sipas marrëveshjeve, nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kërkohej ligjërisht që të merret leje paraprake për transferimin e armëve te palët e treta. Megjithatë, Departamenti i Mbrojtjes kishte thënë se një leje e tillë asnjëherë nuk është dhënë, transmeton Express.
Këtë muaj Agjencia Amerikane për Bashkëpunim në Siguri të Mbrojtjes njoftoi se Pentagoni e ka miratuar shitjen e 4 569 automjeteve të blinduara për Emiratet e Bashkuara Arabe me vlerë prej 556 milionë dollarëve.
Ndryshe, sipas Kombeve të Bashkuara, situata në Jemen paraqet krizën më të rëndë humanitare në botë. 14 milionë njerëz atje janë të rrezikuar nga vdekja prej urisë. Pamjet e fëmijëve të uritur që vijnë nga ky shtet e kanë tmerruar botën.