ShBA-ja hedh poshtë planin e Netanyahut për Gazën
Palestinezët duhet të drejtojnë Gazën pasi Izraeli të përfundojë luftën e tij kundër Hamasit, thanë Shtetet e Bashkuara të mërkurën, duke hedhur poshtë idenë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se Izraeli do të ishte përgjegjës për sigurinë e Gazës për një kohë të pacaktuar.
Persona të armatosur të Hamasit nga Gaza shkelën kufirin me Izraelin më 7 tetor dhe vranë 1.400 njerëz, transmeton Telegrafi.
Një muaj më vonë, Uashingtoni filloi diskutimet me liderët izraelitë dhe arabë për një të ardhme për Rripin e Gazës që nuk do të sundohej nga Hamasi.
Megjithëse plani nuk është shfaqur ende, Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken, të mërkurën parashtroi linjat e kuqe dhe pritshmëritë e Uashingtonit për rajonin e rrethuar bregdetar, në komentet e tij më të gjera deri më tani mbi këtë çështje.