ShBA-ja: ‘Huawei’ paraqet rrezik për sigurinë kombëtare
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk po dërgonin “mesazhe të përziera” sa i përket kompanisë kineze “Huawei”, dhe se ai nuk beson se përfshirja në një listë të zezë amerikane, do të bllokojë një marrëveshje tregtare me Pekinin.
“Nuk mendoj se ka ndonjë mesazh të përzier”, ka thënë Pompeo në një intervistë për “CNBC”.
“Kërcënimi për të pasur sisteme kineze të telekomit brenda rrjeteve amerikane, ose brenda rrjeteve në të gjithë botën, paraqet një rrezik të madh, një rrezik të sigurisë kombëtare”, ka thënë ai.
Në muajin maj, Uashingtoni e përfshiu në listë të zezë “Huawei”-n, duke pretenduar se kompania kineze është përfshirë në aktivitete në kundërshtim me sigurinë kombëtare të ShBA-së, ose interesat e politikës së jashtme.
Të hënën, Shtetet e Bashkuara thanë se kanë zgjatur afatin, që lejon “Huawein” të blejë komponentë nga kompanitë amerikane për të furnizuar klientët ekzistues. Por, gjithashtu autoritetet amerikane, shtuan më shumë se 40 njësi të “Huawei”-t në listën e saj të zezë ekonomike.
Mosmarrëveshja rreth “Huawei”-t përkon me një luftë tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë. Bisedimet janë të pezulluara tani për tani, dhe të dyja palët kanë kërcënuar se do të rrisin tarifat ndaj njëra – tjetrës.