ShBA-ja i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet, përfshirë asociacionin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën në mbrëmje ka dhënë një intervistë për BBC-në.
Kurti në emisionin “Hard Talk” ka thënë se nuk do ta lejojë bosnjëzimin e Kosovës.
Ai ka thënë se nuk do ta lejojë zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
E lidhur me këtë është deklaruar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Në një përgjigje për “klankosova.tv “nga kjo ambasadë është thënë se qëndrimi i ShBA-së nuk ka ndryshuar.
Po asht, kjo ambasadë ka bërë thirrje që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë-Serbi, përfshirë edhe marrëveshjen për asociacionin.
“Qëndrimi i ShBA-së nuk ka ndryshuar. Është thelbësore që Kosova dhe Serbia të respektojnë zotimet e tyre duke zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme. Këtu përfshihet asociacioni i komunave serbe. Ne nuk po e përshkruajmë se si duhet të zbatohet kjo marrëveshje, apo ndonjë tjetër. Teknikat e zbatimit janë në dorën e palëve”, kanë thënë nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë.
Për deklaratën e Kurtit, më herët ka folur edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Stano në një adresim për media ka thënë se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet.