ShBA-ja i kërkon Gjermanisë që të dërgojë trupa në Siri
Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se Uashingtoni i ka kërkuar Gjermanisë që të dërgojë trupa për të ndihmuar Forcat Demokratike Siriane (SDF) në verilindje të Sirisë.
James Jeffrey, i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Sirinë dhe koalicionit kundër IISS-it ka thënë se Uashingtoni dëshiron që ushtria gjermane të dërgojë forca për trajnim, ekspertë të logjistikës dhe punëtorë teknikë.
“Ne duam trupa tokësore nga Gjermania, që pjesërisht të zëvendësojnë ushtarët tanë”, kla thënë Jeffrey në një intervistë për të përjavshmen gjermane, “Wrlt am Sonntag” dhe “Dpa”, duke shtuar se SHBA-ja pret përgjigje nga Gjermania për këtë çështje deri në fund të muajit.
Trupat amerikane kanë mbështetur SDF-në në luftën kundër Qeverisë siriane të presidentit, Bashar al-Assad dhe grupit militant, Shteti Islamik.
Megjithatë, në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se ka në plan të tërheqë 2 mijë trupat amerikane nga verilindja e Sirisë.
Pas kritikave të shumta në Kongresin amerikan dhe të aleatëve, Trumpi më pas ka ndryshuar planin dhe ka thënë se disa qindra trupa do të vazhdojnë të qëndrojnë në Siri për të ndihmuar në stabilizimin e rajoneve kurde, që gjenden përgjatë kufirit Irak-Siri.
Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar nga aleatët që të dërgojnë më shumë trupa në Siri.
“Ne po shikojmë në mesin e partnerëve të tjerë të koalicionit që vullnetarisht të marrin pjesë në këtë çështje. Ne besojmë se mund të arrijmë sukses”, është shprehur Jeffrey.
Gjermania ka mbështetur koalicionin duke dërguar karburant për aeroplanët nga Jordania. Gjithashtu, Gjermania ka trajnuar forcat në Irak.
Misioni pritet të përfundojë më 31 tetor, por ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë se ky mision do të zgjatet.