ShBA-ja i miraton Tajvanit blerje 360-milionëshe të armëve, përfshihen dronët ‘Altius-600M’
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, të martën miratoi një shitje të re të armëve me vlerë të 360 milionë dollarëve në Tajvan, duke i siguruar ishullit qindra dronë të armatosur, pajisje për raketa dhe materiale mbështetëse përkatëse, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë që pritet ta nxisë reagimin e Kinës.
Njoftimi ishte i papritur, por vjen në kohën e tensioneve të larta mes Uashingtonit dhe Pekinit. Kina e cilëson Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe është zotuar për bashkim edhe me forcë, nëse është e nevojshme, raporton agjencia “Associated Press”.
Në shitje përfshihen 291 dronë të tipit “Altius-600M” bashkë me armatimin e tyre si dhe 720 dronë të tipit “Switchblade”, tha Departamenti i Shtetit.
Departamenti i Shtetit tha se kjo shitje “u shërben interesave kombëtare, ekonomike dhe të sigurisë të ShBA-së përmes mbështetjes së përpjekjeve të vazhdueshme të marrësit për t’i modernizuar forcat e veta të armatosura dhe për të mbajtur kapacitet të besueshëm të mbrojtjes” si dhe “ndihmon për ta përmirësuar sigurinë e marrësit dhe për të asistuar në mbajtjen e stabilitetit politik, baraspeshës ushtarake dhe përparimit ekonomik në rajon”.
Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, i falënderoi Shtetet e Bashkuara për miratimin e shitjes së re të armëve për vendin e tij gjatë një konference për gazetarë të mërkurën në Taipei. Ai tha se leje të tilla ndihmojnë për t’i ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit.
“Në të ardhmen, ne do të vazhdojmë që të fuqizojmë fuqinë e mbrojtjes kombëtare të Tajvanit, qoftë përmes… blerjeve ushtarake ose përpjekjeve tona”, tha ai.
Në deklaratën e Departamentit të Shtetit thuhet se pakoja e re e armëve nuk do ta prekë baraspeshëm ushtarake në rajon.