ShBA-ja jep 550 milionë dollarë mbështetje shtesë për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan me 1 gusht ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë sisteme raketash Artilerie me Lëvizshmëri të Lartë (HIMARS), që zyrtarët ushtarakë ukrainas kanë thënë se kanë qenë kritike në luftën për të zmbrapsur trupat ruse dhe për të goditur linjat e tyre të furnizimit.
“Paketa e re prej 550 milionë dollarësh do të përfshijë më shumë HIMARS”, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Që kur presidenti, Joe Biden mori detyrën, kjo e çon totalin e ndihmës ushtarake të dhënë për Ukrainën në më shumë se 8 miliardë dollarë, tha Kirby.
HIMARS janë sisteme me rreze të gjatë veprimi dhe janë më precize sesa artileria e kohës sovjetike që Ukraina ka në arsenalin e saj.
Zyrtarët ukrainas kanë deklaruar se përdorimi i këtyre sistemeve të prodhimit amerikan ka qenë thelbësor për t’i zmbrapsur forcat ruse dhe për t’i sulmuar linjat e tyre të furnizimit.
Pentagoni tha në një deklaratë se SHBA-të “do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët e saj për t’i ofruar Ukrainës kapacitetet kyçe “për të përmbushur kërkesat e saj në zhvillim e luftës në fushëbetejë”.
Më 23 korrik, Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një ndihmë ushtarake prej 270 milionë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë katër sisteme të tjera raketash Artilerie me Lëvizshmëri të Lartë (HIMARS), duke e çuar numrin e tyre të dërguara në Ukrainë në 20.
Pjesa më e madhe e ndihmës vjen nga një paketë prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën e miratuar nga Kongresi në maj.