SHBA-ja jep edhe një miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar një tjetër ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, prej një miliard dollarësh, duke u zotuar se ky do të jetë dërgimi më i madh i raketave, municioneve dhe armëve të tjera nga rezervat e Departamentit të Mbrojtjes për forcat ukrainase.
Njoftimi i Pentagonit më 8 gusht erdhi pasi Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) premtoi një shtesë prej 4.5 miliardë dollarësh për qeverinë e Ukrainës për shërbimet bazë, si rrjedha e energjisë elektrike në spitale dhe dërgimi i furnizimeve humanitare për ukrainasit.
Ndihma ushtarake përfshin sisteme raketash artilerie me lëvizshmëri të lartë, HIMARS, për të cilat Ukraina ka thënë se kanë qenë efektive në ndihmën e forcave të saj në fushën e betejës.
Përveç raketave HIMARS, ndihma përfshin mijëra fishekë artilerie, sisteme mortajash, shtiza dhe municione dhe pajisje të tjera, tha Pentagoni në një deklaratë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në një postim në Twitter se i është mirënjohës SHBA-së për ndihmën e dhënë dhe se çdo dollarë më shumë është një hap drejt mposhtjes së Rusisë.
“I jam mirënjohës njerëzve të SHBA-së për ndarjen e një pakete tjetër prej 1 miliard dollarësh për Ukrainën. Çdo dollar i një ndihme të tillë është një hap drejt mposhtjes së agresorit. Ne do të kujtojmë gjithmonë mbështetjen e lidershipit amerikan në këtë kohë kur ndihma është më se e nevojshme!”, ka thënë ai.
Kjo është ndihma e 18-të e pajisjeve nga inventarët e Departamentit të Mbrojtjes për Ukrainën që nga gushti 2021.
“Në total, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë rreth 9.8 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë për Ukrainën që nga fillimi i administratës së Bidenit”, tha në deklaratë zëdhënësi i Pentagonit, Todd Breasseale.
Deri më tani, njoftimi më i madh i paketës së ndihmës për sigurinë ishte 1 miliard dollarë më 15 qershor. Kjo ndihmë përfshinte 650 milionë dollarë nën Iniciativën e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës, përveç një tërheqjeje prej 350 milionë dollarësh.
USAID tha se bashkë me ndihmën që njoftoi më 8 gusht, mbështetja totale buxhetore që nga pushtimi i Rusisë në shkurt shkon në 8.5 miliardë dollarë.
Financimi, i koordinuar me Departamentin e Thesarit të SHBA-së përmes Bankës Botërore, do t’i shkojë qeverisë së Ukrainës në këste, duke filluar me një disbursim prej 3 miliardë dollarësh në gusht, tha USAID në një njoftim për media.
Fondet e reja do ta ndihmojnë atë të mbajë funksione thelbësore, duke përfshirë ndihmën sociale dhe financiare për njerëzit e varfër, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe miliona persona të zhvendosur brenda vendit.
Banka Botërore vlerëson se 55 për qind e ukrainasve do të jetojnë në varfëri deri në fund të vitit 2023 si rezultat i luftës dhe numrit të madh të personave të zhvendosur. Kjo krahasohet me 2.5 për qind që jetonin në varfëri para fillimit të luftës.