ShBA-ja jep mbi një miliard dollarë ndihmë për ushtrinë ukrainase
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të japin 1.1 miliard dollarë ndihmë ushtarake shtesë prej për Ukrainën.
Në këtë paketë përfshihet financimi i 18 sistemeve të avancuara raketore dhe armë të tjera për të luftuar dronët, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Paketa synon të ndihmojë Ukrainën që të sigurojë nevojat e saj afatgjata të mbrojtjes dhe financohet nga Iniciativa e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës (USAI), një program i veçantë i autorizuar nga kongresi që financon blerjen e armëve dhe pajisjeve ushtarake.
Paketa e re “përfaqëson një investim shumëvjeçar në aftësitë kritike për të ndërtuar qëndrueshmëri të Forcave të Armatosura të Ukrainës”, derisa ato vazhdojnë të luftojnë kundër ushtrisë pushtuese ruse, tha Pentagoni në një deklaratë.
Paketa përfshin financimin e 18 “HIMARS”-ëve, të cilat janë sisteme raketash artilerie me lëvizshmëri të lartë dhe 12 sistemeve Titan, të cilat përdoren për të luftuar dronët.
Pentagoni dhe udhëheqësit ushtarakë ukrainas kanë thënë se “HIMARS”-ët kanë qenë çelësi për sukseset e fundit të Ukrainës në fushëbetejë.
Sistemet “Titan” do të vendosen kundër dronëve të prodhuar nga Irani, që forcat ruse kanë filluar t’i përdorin për të shënjestruar forcat ukrainase.
Më 14 shtator, ushtria ukrainase ka publikuar imazhe që të një droni të Iranit, i njohur me emrin “Shahed-136”. Ukraina ka theksuar se për herë të parë ka hasur në një dron vetëvrasës iranian, që është përdorur nga Rusia në fushëbetejë.
Në korrik, inteligjenca amerikane paralajmëroi se Irani po planifikonte të dërgonte qindra dronë në Rusi për t’i përdorur në luftën në Ukrainë.
Irani fillimisht kishte mohuar akuzat, por kreu i Gardës Revolucionare Islamike së fundmi është mburrur se shteti i tij po armatos fuqitë kryesore botërore.