SHBA-ja kërkon nga Britania të zbatojë referendumin për Brexit-in
Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, John Bolton akuzoi institucionet politike të Britanisë së Madhe për dështim në zbatimin e rezultateve të referendumit të vitit 2016 për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian.
Marrëveshja e Brexit-it e negociuar nga qeveria e kryeministres Theresa May dhe zyrtarët evropianë është hedhur poshtë dy herë nga ligjvënësit britanikë dhe tashmë qeveria po shqyrton mundësinë që të kërkojë nga BE-ja shtyrjen e datës së Brexit-it që është paraparë më 29 mars.
“Njerëzit në Britani kanë votuar. Kur do të jap efekte ndaj kësaj vote klasa politike?”, ka thënë Bolton për “Sky News”, duke shtuar se presidenti amerikan Donald Trump ka qenë i qartë. “Ai dëshiron një zgjidhje të kësaj çështje që lejon Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë të arrijnë sërish një marrëveshje tregtare. Ai sheh mundësi të mëdha nëse statusi i Britanisë zgjidhet” ka thënë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton.
Ndërkohë sa i përket zhvillimeve brenda Britanisë, të martën Kryesuesi i parlamentit britanik hodhi poshtë mundësinë që të hidhet në votim para ligjëvënësve një marrëveshje e njëjtë e Brexit-it.
Kreu i parlamentit, John Bercow, ka deklaruar se marrëveshja e cila është hedhur poshtë dy herë nga deputetët nuk mund të vihet prapë në votim nëse nuk pëson ndryshime thelbësore.
Qeveria britanike po shqyrton përgjigjet e mundshme ndaj këtij vendimi./rel/