ShBA-ja kërkon nga Serbia ta mbajë premtimin për zbardhjen e vrasjes se vëllezërve Bytyqi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë apeluar tek autoritetet e Serbisë, për të zbardhur sa më shpejt rastin e vrasjes së vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të cilët kanë qenë shtetas amerikan.
Në një deklaratë të lëshuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, në 20- vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, është thënë se drejtësia ndaj këtij rasti mbetet ende prioritet për marrëdhëniet e tyre dypalëshe.
“Sot shënojmë një përvjetor të zymtë. Njëzet vjet më parë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u morën nga një stacion policor dhe u liruan në paraburgim të njësive speciale të policisë serbe. Dy vjet më vonë, trupat e këtyre tre shtetasve amerikanë u gjetën në Petrovo Sello në Serbinë lindore në një bazë të kontrolluar nga një njësi nën komandën e Guri Radosavljeviq. Duart e viktimave ishin të lidhura prapa shpinës dhe secili prej tyre ishte qëlluar në kokë. Edhe pse kanë kaluar njëzet vjet, vrasjet e tyre ende nuk janë hetuar siç duhet dhe plotësisht. Vdekjet e tyre janë diçka që nuk mund dhe nuk do ta harrojmë. Marrja e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi mbetet prioritet në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara përsëri i bën thirrje autoriteteve serbe, të cilët kanë premtuar të ndihmojnë në këtë rast gjatë viteve, për një zgjidhje për këtë rast”, është thënë në deklaratën e Ambasadës së ShBA-së në Serbi.