ShBA-ja kundërshton hetimet në territoret palestineze
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara “e kundërshtojnë fuqishëm” vendimin e kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare për Krime, për të nisur hetime zyrtare të krimeve të pretenduara në territoret palestineze.
Blinken tha se “SHBA-ja është thellësisht e zhgënjyer”.
Izraeli reagoi ngjashëm, ndërsa palestinezët dhe organizatat e të drejtave të njeriut e mirëpritën vendimin.
Kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime, Fatou Bensouda, tha të mërkurën se pas një ekzaminimi paraprak pesëvjeçar, zyra e saj do t’i hetojë ngjarjet në Rripin e Gazës, si dhe në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor – territore të pushtuara nga Izraeli – që nga qershori i vitit 2014.
“Në fund të fundit, shqetësimi ynë kryesor duhet të jetë për viktimat e krimeve, si palestineze, ashtu edhe izraelite, që vijnë nga cikli i gjatë i dhunës dhe pasigurisë, që ka shkaktuar vuajtje dhe dëshpërim të thellë te të gjitha palët”, tha Bensouda.
Ajo tha se hetimi, i cili do të kryesohet nga kryeprokurori në ardhje, Karim Khan, “do të bëhet në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe objektive, pa frikë ose favor”.
Hetimet pritet të kenë në qendër konfliktin midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, si dhe vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Ekspertët thonë se Izraeli mund të jetë i cenueshëm nga ndjekja penale për shkak të ngritjes së vendbanimeve në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor – rajone që palestinezët shpresojnë t’i bëjnë shtet të ardhshëm. Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor në luftën e Lindjes së Mesme, më 1967.
Komuniteti ndërkombëtar konsideron se vendbanimet e ngritura izraelite janë të paligjshme me ligjin ndërkombëtar.
Edhe pse palestinezët nuk kanë shtet të pavarur, atyre u është dhënë statusi i vëzhguesit joanëtar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 2012, që u mundëson t’iu bashkohen organizatave ndërkombëtare, të tilla si Gjykata Ndërkombëtare për Krime.
Në deklaratë, Blinken tha se Gjykata Ndërkombëtare për Krime nuk ka juridiksion mbi këtë çështje, pasi Izraeli nuk është palë dhe nuk ka dhënë pëlqimin për juridiksionin e gjykatës.
Ai gjithashtu tha se qëndrimi i SHBA-së është se palestinezët nuk kualifikohen si shtet sovran, për të marrë pjesë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime.
Izraeli dha argumente të ngjashme ligjore. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është “nën sulm”.
Ministria e Jashtme palestineze e cilësoi vendimin e Gjykatës si “hap të shumëpritur”, që “i shërben përpjekjes së fuqishme të Palestinës për të arritur drejtësinë dhe përgjegjësinë, si baza të domosdoshme për paqe”.