SHBA-ja ‘masë kufizuese’ ndaj kryeministrit Kurti, limiton nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me të

07 mars 2024 | 20:10

Marrëdhëniet e kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në pikën më të ulët, prej kur Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mandatin e dytë qeverisës në vend. Shkak, moskoordinimi i përgjithshëm në çështjet që mund të ngadalësojnë apo rrezikojnë progresin në implementimin e marrëveshjeve me Serbinë. SHBA-ja e ka të qartë se Kurti nuk po e trajton si partnere – e thënë shprehimisht edhe nga Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht” – ishte sugjerimi që zyrtari i lartë i Administratës së Bidenit, i ngarkuar për çështjet e Evropiane dhe të Euro-Azisë, e kishte përcjellë për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti, rreth 1 muaj më parë.

Paralajmërimi i James O’Brien erdhi tek pasi, sipas tij, kryeministri Albin Kurti “premtoi se do të punonte” rreth shqetësimit të SHBA-së për çështjen e rregullores së re të BQK-së për paratë e gatshme.

“Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tërhiqte vërejtjen O’Brien, më 13 shkurt 2024, në intervistën e tij për “Zëri i Amerikës”.

Një muaj pas, raporti SHBA-Qeveri e Kosovës duket të jetë përshkallëzuar. Washingtoni e ka të qartë këtë, ndaj edhe kanë nisur të zbatojnë një lloj ndëshkimi për kreun e Qeverisë së Kosovës.

Niveli i bashkëpunimit dhe takimeve me kryeministrin Kurti është limituar, raporton ekskluzivisht gazeta online Reporteri.net. Kjo, sipas një burim të besueshëm diplomatik, si “masë kufizuese” shkaku i sjelljes dhe veprimeve të pakordinuara të shefit të qeverisë kosovare, që sipas SHBA-së cenojnë, ngadalësojnë apo edhe rrezikojnë progresin në implementimin e marrëveshje të arritura me Serbinë dhe tensionojnë gjendjen në veri të vendit.

Rrjedhimisht, sipas të njëjtit burim, Kurtit i kufizohen takimet me zyrtarët e lartë amerikanë. Përjashtim, sipas të njëjtit burim, bën ndonjë rast kur ndonjë zyrtar i lartë amerikan udhëton në Prishtinë për “porosi të qarta dhe të domosdoshme” për Qeverinë e Kosovës, që shpejtë pritet të vijnë nga SHBA-ja, raporton gazeta online Reporteri.net.

Megjithatë, nga qeveria e Kosovës, të mërkurën, jo zyrtarisht, përmes një anëtari të kabinetit të Kurtit, kanë mohuar se janë njoftuar apo kanë marrë ndonjë “notë” të tillë diplomatike nga SHBA-ja. Një ditë më herët, të martën, edhe vetë kryeministri Albin Kurti në një paraqitje para gazetarëve “siguroi” se Qeveria e tij nuk është duke i prishur marrëdhëniet me aleatët e vendit.

Megjithatë, “masa ndëshkuese” e SHBA-së ndaj kryeministrit Kurti, për të cilën nga Qeveria e Kosovës mohojnë se ekziston, del të ketë filluar zbatimin dhe u pa gjatë qëndrimit dy ditor në Prishtinë të Erin McKee, Ndihmësadministratores së Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID.

McKee, konfirmuar zyrtarisht nga Ambasada Amerikanë në Prishtinë, përzgjodhi se kë do që ta takojë gjatë vizitës në Kosovë. “Ndihmës-Administratorja nuk u takua me Kryeministrin gjatë vizitës së saj“.

Për dallim nga shefi i ekzekutivit, zyrtarja e lartë amerikane, presidentes Vjosa Osmani i shkoi në takim ku theksoi prezencën 25-vjeçare të USAID-it në Kosovë dhe u zotua se SHBA-ja do të vazhdojë perkushtimin ndaj Kosovës, pavarësisht mosmarrëveshjeve me “qeveri të caktuara”.

Ndëshkimi amerikan për Kurtin – kaq hapur – ndodhë për herën e parë, por jo edhe për anëtarë të kabinetit të tij. Në nëntor të vitit 2022, Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe disa zyrtarëve të tjerë qeveritarë, SHBA ua kishte ndaluar një vizitë në Washington, si ndëshkim për vendimin e Kurtit për targat që ishte pasuar me “krizën e madhe” në veri.

“Mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në SHBA për takime zyrtare, duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, kishte konfirmuar në atë kohë thënë ambasadori Hovenier.

Ndryshe, veprimet “e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës dhe tensionet në veri të vendit, Kosovës, qysh verën e vitit 2023 po i kushtojnë edhe me “masa kufizuese” nga Bashkimi Evropian – që në vend janë quajtur edhe sanksione. /Reporteri.net/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimtari, drejtori i OJQ “Zëri Perëndimor i Kosovës”, Sali Bislimi,…