SHBA-ja më e fuqishmja në botë – ku renditet ushtria e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë
SHBA-të kanë ushtrinë më të fortë në botë, ndërsa Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria gjenden më poshtë në renditjen e raportit të fundit të portalit “Global Firepower” për vitin 2024.
Lista e portalit “Global Firepower” rendit gjithsej 145 vende dhe territore në bazë të fuqisë së tyre ushtarake dhe faktorë të ndryshëm janë marrë parasysh gjatë krijimit të listës.
Maqedonia e Veriut si antëtare e NATO-s, sipas Global Firepower renditet në vendin e 110 për nga forca ushtarake.
Për vitin 2024, Kosova renditet e 135 nga 145 vendet të renditjes vjetore. Megjithatë, Kosova nuk ka publikuar shumë të dhëna sipas portalit, dhe kjo ka bërë që të renditet kaq poshtë.
Shqipëria, edhe pse anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s, zë pozitën e 90 në glob.
Sipas të njëjtave të dhëna, në vend të dytë për nga fuqia ushtarake është Rusia dhe në vendin e tretë Kina. Pasohet nga India, Koreja e Jugut, Britania e Madhe, Japonia, Turqia, Pakistani dhe Italia.
Gjersa dy vendet që janë në luftë, Izraeli është në vendin e 17-të dhe Ukraina e 18-ta.
Sa i përket rajonit tonë, Serbia kryeson për nga fuqia e ushtrisë dhe është në vendin e 56-të. Pas saj është ushtria e Kroacisë, e cila është në vendin e 66-të.
Bosnje-Hercegovina gjendet në vendin e 116-të dhe Mali i Zi zë pozitën e 129-të.
Ndryshe, Benini, Somalia, Surinami, Moldavia dhe Butani janë në fund të listës.