SHBA-ja në kërkim të sulmuesve të Kongresit
Policia e Kongresit në Uashington hodhi poshtë kritikat për dështim pas sulmeve vdekjeprurëse kur një turmë mbështetësish të zemëruar të presidentit Donald Trump hynë dhunshëm në Kongres një ditë më parë.
Zyrtarët amerikanë thanë se pas disa orësh do të ngrihet aktakuza e parë ndaj një personi. Ndërkohë, kreu i FBI-së, Christopher Wray, tha se agjentët e kësaj force po punonin në mënyrë të pandalur për të identifikuar dhe kapur ata që ishin përfshirë në dhunën një ditë më parë në lidhje me incidentet e papara në historinë moderne të SHBA-së.
Wray tha se FBI-ja po kërkon ndihmë nga publiku për të gjetur keqbërësit.
Një seancë e përbashkët e Kongresit për të vërtetuar fitoren e presidentit Demokrat të zgjedhur, Joe Biden, në votimin e nëntorit u ndërpre nga një protestë e dhunshme dhe detyroi ligjvënësit të largoheshin në një vend të sigurt. Para se të hynin në ndërtesë, turma e mbështetësve të Trumpit shpërtheu një kordon policie që mbronte ndërtesën e Kongresit, më 6 janar.
Skena u përshkrua nga anëtarët e të dy partive të mëdha amerikane si një sulm i paparë ndaj institucioneve demokratike. Dhuna nxiti reagime të shumta nga e gjithë bota.
Tashmë shumë pyetje janë ngritur se si siguria për qindra zyrtarë të lartë të zgjedhur në një nga ndërtesat më të ndjeshme të pushtetit të vendit dhe një simbol i demokracisë amerikane mund të ishte aq e pamjaftueshme, edhe pse më herët kishte informata për një tubim të planifikuar.
Kryetari i Uashingtonit, Muriel Bowser, tha se kishte ndodhur një dështim, përndryshe “nuk do të kishte njerëz që hynin në Kongres duke thyer dritaret dhe terrorizuar anëtarët e Kongresit, të cilët po bënin një punë të shenjtë.”
Në një foto që ka qarkulluar në mediat sociale shihet një polic që bënte një foto-selfie me një nga protestuesit, policë të tjerë shiheshin duke mos bërë asnjë rezistencë. Policia lejoi shumë prej atyre që kishin hyrë ilegalisht brenda, të largoheshin pa asnjë pengesë.
Shefi i Policisë së Kongresit, Steven Sund, në deklaratën e tij të parë publike që nga incidenti, tha më 7 janar se nuk kishte asnjë informacion të agjencive të inteligjencës se do të ndodhte një dhunë e tillë.
Sund tha se oficerët e Policisë së Kongresit kishin “vepruar me guxim kur u përballën me mijëra individë të përfshirë në veprime të dhunshme të trazirave.”
Ai tha se protestuesit “sulmuan në mënyrë aktive” Policinë e Kongresit dhe oficerë të tjerë të zbatimit të ligjit me tuba metali, sprej irritues kimikë dhe “armë të tjera”./ REL