ShBA-ja në krah të Shqipërisë sikurse në vështirësi tjera
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh), përmes një deklarate ka thënë se ashtu sikurse në kohë tjera të vështira, Shtetet e Bashkuara “janë në krah të miqve tanë në Shqipëri”.
DASh-i në këtë deklaratë ka shprehur ngushëllimet për viktimat e tërmetit të kësaj jave në Shqipëri, që la dhjetra të vrarë dhe qindra të plagosur.
“Derisa Shqipëria po shënon Ditën e Pavarësisë, ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për ata që humbën jetën në tërmetin e kësaj jave. Tani, si në periudha të tjera të vështira, Shtetet e Bashkuara janë me miqtë tanë në Shqipëri”, është thënë në deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, me rastin e 107-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë deklaratë është theksuar se nga rënia e komunizmit, tridhjetë vjet më parë, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar një partneritet gjithnjë e më të fortë.
ShBA-ja, me këtë rast, përshëndet përpjekjet e Qeverisë së Shqipërisë për të zbatuar reformat e nevojshme, përfshirë ato reforma që synojnë forcimin e një gjyqësori të pavarur.
“Ne vlerësojmë thellësisht kontributet pozitive të Shqipërisë në koalicionin e NATO-s dhe mirëpresim kryesimin nga ana e Shqipërisë të OSBE-së më 2020”, është thënë në këtë deklaratë.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar raportet ndërmjet dy vendeve, duke thënë se “miqësia amerikane-shqiptare qëndron si një shtyllë e qëndrueshme e paqes dhe stabilitetit”.